29.03.2021
Prishtinë 29 mars – Çmimi i një testi PCR për Covid-19 në Prishtinë ka rënë nga Euro 200 në Euro 30 brenda një viti. Kjo rënie drastike e çmimit ka ndodhur pasi teknologjia ka avancuar dhe kërkesa për këtë test ishte rritur shumë kur u bë kusht për udhëtim në shtetet evropiane.
Rënia e fundit e çmimit është bërë nga laboratori Interlab në Prishtinë që tash konkuron me çmim prej Euro 30. Ky çmim është për Euro 5 më i ulët se çmimi i këtij testi te laboratori Avicena dhe Euro Lab afër aeroportit. Avicena edhe pse reklamon çmimin prej Euro 35 ky test nëse bëhet në Prishtinë kushton Euro 45.
Sa i përket konkurencës, për çmimin e një testi PCR për Covid-19 në Prishtinë, Interlab është për Euro 10 më i lirë se laboratorët e tjerë. Kjo vlenë përderisa çmimet nuk ndryshojnë nga data që ne kemi shikuar, pra 29 mars. Për të parë çmimet e fundit klikoni në këtë lidhje. Lexo DW për llojet e testit
Ky është një test që bëhet duke e marrë mostrën nga fyti dhe hunda e pacientit. Mostrat testohen nëse ka shenja të ADN-së së virusit. Ky proces është i gjatë dhe kërkon makineri dhe procese të shumta për t’u bërë. Menjëherë pas gjetjes së gjenomit ADN të virusit u zhvilluan edhe mënyrat e testimit. Ato në fillim ishin të shtrenjta pasi që duheshin pajisje të reja dhe ekspertizë e veçantë për t’i bërë ato.
Mirëpo, pas pak kohe, industria e farmaceutikës mbushi tregun me teste dhe kështu zbriti edhe çmimi. Fillimisht, ky test bëhej nga institucionet shtetërore të Kosovës. Pak më vonë këtë test e bënte një laborator i vetëm që kërkonte Euro 200 për një test. Më vonë me rritjen e tregut zbriti edhe çmimi, ku njëherë u zbrit në Euro 50 e tash në Euro 30.
Megjithatë, rëndësia e këtij testi është ulur pasi tash për udhëtim kërkohet testi antigjen apo antigen siç e shkruajnë disa laboratore gabimisht. Ky test është më pak i kushtueshëm dhe rezultatet e tij dalin më shpejtë, e ky test më së shumti përdoret për udhëtim. Lexo për testin Antigjen dhe çmimin e tij.