05.09.2022
Shtatori është muaji kur kompania Apple promovon modelet e reja të Iphone. Në radhë është promovimi i modelit Iphone 14, por këta lloj celularësh janë për një pjesë relativisht të vogël të popullatës, meqë kushtojnë nga 1.300 euro deri në mbi 2.000, varësisht nga performancat.
E për popullatën që thjeshtë kërkon të ketë një celularë “smart”, atëherë ka shumë zgjidhje, natyrisht me më pak opsione e shumë më pak cilësi.
Në tregun online gjeni të paktën 10 lloje të celularëve, që mund t’i blini për më pak se 150 euro dhe platforma SaKushton ka analizuar e krahasuar çmimet e tyre.
Telefonin më të lirë “smart” e gjeni në Aztech. Është i brendit Noa, modeli Next 5 dhe kushton 89.90 euro. Modeli ka 1 GB Ram dhe 8 GB memorje të brendshme.
Në këtë dyqan, gjeni edhe disa lloje të celularëve më të lirë se 150 euro, si Noa VIVO (99 euro) dhe Noa Primo (99.99 euro).
Në dyqanin online PemaMall, celulari më i lirë është po ai i brendit Noa, modeli N1 S. Kushton 91.80 euro. Ka 2 GB Ram dhe 16 GB memorje të brendshme.
Modele të tjera të lira në këtë dyqan janë edhe Noa Fresh dhe Noa P1. Të dy nga 94.50 euro.
Në Gjirafa50, i gjeni katër modele më të lira se 150 euro, secila. Më i liri është ai i brendit Oscal, modeli C20 Pro, që kushton 115.50 euro. Është brend kinez dhe ka 2 GB Ram dhe 32 GB memorje të brendshme.
Celularë të lirë janë edhe ai i brendit UleFone, modeli Note 6 (134.89 euro), ai i brendit Xiaomi, modeli Redmi 9A (149.50 euro) dhe ai i brendit UleFone, modeli Note UF (149.75 euro).