27.02.2021
Prishtinë, 27 shkurt – Një kilogram argjend në berzat ndërkombëtare kushton 711 Euro përderisa udhëtimi i tij deri te dekorimet e filigranit apo punimeve të tjera ngritë vlerën deri në 7 mijë euro për kilogram, mirëpo udhëtimi i tij nuk është i thjeshtë.
Nga tulla, argjendi shkon në përpunimin e parë ku kthehet në tel përmes shkrirjes, pastaj ridistribuohet deri te argjendari i cili shkrinë artistinë e vet në krijimin e bizhuterive duke ia rritur vlerën metalit fisnik në vepra arti.
“Kur shitet një vepër që e punojmë ne, atëherë aty vlerë nuk ka vetëm argjenti, më shumë ka vlerë puna dhe përkushtimi jonë për atë vepër. Sikurse piktura që nuk vlerësohet për sasinë e ngjyrës”, shpjegon Genc Mazreku, mjeshtër i argjetarisë në Prishtinë.
Sa i përket punës tradicionale të filigranit çmimi është minimum 3 euro për gram për punë të thjeshta përderisa puna e sofistikuar dhe ajo me porosi shkon deri në 7 euro për gram. “Një mesatare mund të mirret 5 euro për gram” tregon Mazreku.
Në berzat ndërkombëtare çmimi i argjendit ka pasur një rritje enorme që nga fillimi i pandemisë me një rritje në shkurt të vitit të kaluar, që atëherë çmimi ka levizur por gjithnjë duke qëndruar lartë.