Produktet bazike ushqimore, sa kushtonin në fillim të vitit e sa tash

14.11.2023

Shperndaje:

Sado që hovi i inflacionit është ndalur paksa, çmimet e produkteve bazike ushqimore vazhdojnë të jenë të larta, sidomos nëse i krahasojmë me një periudhë jo shumë të largët.

Një tekst për produktet bazike të shportës, mund ta lexoni KËTU dhe është botuar më 17 janar 2023. Këtu mund të vërehet se secili produkt kushton më shtrenjtë.

Mielli, në paketim 1 kg më së liri mund të blihet në Spar. Është i brendit Finnesa, tip-400 dhe kushton 0.99 euro. Më herët, ishte 0.70 euro.

Kripa më e lirë tash mund të porositet në Begmart. Paketimi i Tuzllës, 1 kg, kushton 0.52 euro, ndërkohë në fillim të vitit më së liri mund të blihej për 0.44 euro.

Sheqeri më i lirë tash kushton 1.12 euro, është i brendit Agrokor dhe vjen në paketim 900 gr. Në fillim të vitit kjo peshë mund të blihej për 1.09 euro.

Vaji vazhdon të ketë luhatje. Në ca vende e gjeni shumë lirë me aksion e në disa shumë shtrenjtë. Në tregun online, më së liri e gjeni vajin Zade, në marketin Begmart dhe litri kushton 2.94 euro. Në fillim të vitit, shishja me 905 ml mund të blihej për 1.89 euro.

Orizi më i lirë tash mund të porositet në 75Mall. Paketimi 800 gr i brendit Sant Andrea kushton 1.40 euro. E njëjta peshë, në fillim të vitit mund të blihej për 1.15 euro.

Fasulja e bardhë, po ashtu ka shënuar rritje të madhe të çmimit. Paketimi 700 gr, në Spar mund të porositet për 2.79 euro. E në fillim të vitit, paketimi më i madh – 800 gr, mund të blihej për 2.19 euro.

Detergjenti. Ai për enë tash më së liri mund të blihet për 0.99 euro në Spar. Është gjysmë litre dhe me aromë limoni. E detergjenti për rroba më së liri kushton në Begmart. Është i brendit Bioaktiv, 3 kg dhe kushton 3.99 euro. Në fillim të vitit, paketimi 3 kg, po në Begmart, kushtonte 3.39 euro.

Në janar, këto produkte do të mund të bliheshin për 10.85 euro, kurse tash për 13.75, apo plot 2.9 euro më shumë. Në përqindje i bie rritje për 26.8 për qind.