Produkte vendore dhe serbe – cili është dallimi në çmim

02.03.2023

Shperndaje:

Me gjithë fushatat e ndryshme, produktet serbe ende janë të kërkuara në tregun e Kosovës.

Së fundi, po zhvillohet një fushatë online për të mos blerë produkte serbe, ndërkohë më herët janë marrë edhe masa institucionale për këtë, duke i detyruar shitësit të vëjnë flamujt e origjinës pranë produkteve, në mënyrë që blerësit të dinë çfarë po çojnë në shtëpi.

Por importi nga Serbia vazhdon të jetë i madh. Sipas statistikave, vitin e kaluar u importuan mallra në vlerë mbi 350 milionë euro.

E për shumë prej mallrave që importohen, prodhohen edhe në Kosovë, ndonëse për çudi, çmimi i tyre në të shumtën e rasteve është më i lartë.

Platforma SaKushton do të analizojë pesë produkte vendore e serbe dhe çmimet e tyre.

Qumësht

Nëse dikush kërkon qumështin e Serbisë “Moja Kravica”, në dyqanin online 75Mall e gjen për 1.20 euro litrin. Ndërkohë qumështi vendor Vita, në Maxi e gjeni për 1.29 euro, kurse në Spar për 1.35 euro. Pra qumështi vendor del të jetë më i shtrenjtë.

Keçap

Keçap i mirë prodhohet edhe në Kosovë, megjithëse ai i Polimarkut serb vazhdon të jetë i shumtë në raftet e marketeve. Keçapin Polimark 0.5 kg, në Maxi e gjeni për 1.45 euro, kurse atë vendor të brendit Eurofood, po në Maxi e gjeni për 0.95 euro. Para ai vendor është shumë më i lirë për të njëjtën peshë.

Mëlmesa

Mëlmesa prodhim serb, ajo e brendit Aleva, është e moçme në treg. Dhe atë shpesh e gjeni më lirë se ato që janë prodhim vendor. Paketimi i Alevas 250 gr, në Maxi kushton 0.85 euro, kurse ai vendor Essi, 0.95 euro. Edhe në këtë rast, prodhimi vendor del të jetë më i shtrenjtë.

Vaji

Po ashtu edhe vaji që vjen nga Serbia është më i lirë se ai që prodhohet apo paketohet në Kosovë. Shishja e vajit Biser, me peshë 905 ml, pra prodhim serb, në Maxi kushton 1.89 euro. E shishja e vajit vendor Floil, me peshë 900 ml, në Maxi kushton 1.99 euro.

Letër toaleti

Një prej produkteve që kanë parë rritje të madhe të çmimit është edhe letra e toaletit. Këtu, prodhimet vendore mund të gjenden pak më llirë. Për shembull, letra e toaletit Rose, me tri shtresa, kushton 2.39 euro në Maxi. I ka 10 rollne. Në Gjirafa50 gjeni letrën Bora për 2.05 euro, por është me dy shtresa, pra më e hollë. Nga produktet serbe, letra Perfex, që po ashtu i ka 3 shtresa, kushton 2.99 euro në Maxi. Edhe paketimi i saj i ka 10 rollne.