Oferta NLB Marigona Hill për kamatë 2.88 për qind në vjet, a është e saktë?

12.01.2021

Shperndaje:

Prishtinë, 12 Janar – Banka Kosovare NLB së bashku me kompaninë Marigona Hill kanë bërë një ofertë të kredisë për blerje të patundshmërisë me kredi me çmim pre 2.88 për qind kamatë, një çmim i joshës mirëpo jo i prezantuar plotësisht. 

Kjo normë e interesit është e llogaritur si “normë nominale e interesit”, pra që përfshinë çmimin e kredisë pa shpenzimet tjera që duhet paguar. Me kërkesë të Sakushton banka ka dhënë çmimin real te kredisë që shprehet në “normë efektive të interesit” e cila është 3.5 për qind. Banka Qendrore e Kosovës kërkon që në secilën reklamë të paraqitet edhe norma efektive e interesit.  

Gjithashtu ky çmim i reklamuar 2.88 vlenë vetëm për tre vjetët e para. Nëse kredia është më e gjatë atëherë ajo mund vetëm të shtrenjtohet. Në shpjegimin e bankës jepet informata që pas tre vjetëve norma e interesit do të jetë 2.88 plus Euribor. Euribor është një normë referente e interesit e llogaritur në bazë të interesit ndërbankarë në BE. Për momentin vlera e Euribor është negative, përderisa në të kaluaren ka mundur të shkoj edhe në 5 për qind sa ka qenë në vitin 2000.  

Pas tri viteve, normës nominale prej 2.88 për qind apo asaj efektive prej 3.5 për qind do t’i shtohet edhe norma e Euriborit, mirëpo duke mbajtur minimumin. Pra nëse Euribori është negativ sikur tash (-0.5 për qind) çmimit të kredisë nuk do t’i hiqet kjo përqindje por nëse Euribori ngritet atëherë edhe vlera e kamatës do të ngritet. Me formulën e NLB-së nëse Euribor shkon në vlerën e vitit 2000 atëherë kredia pas tre vjetëve do të jetë 7.88 për qind.