18.03.2021
Disa nga bankat e Kosovës kanë filluar një fushatë për shitjen e kredive me kamata të ulëta. Gjithashtu, bankat ofrojnë edhe kushte më të lehta të kreditimit, sidomos për të punësuar në sektorin publik, ka gjetur hulumtimi i sakushton.com.
Bankat në fushatat e tyre nuk publikojnë gjithmonë çmimet e kamatave të secilit produkt. Sakushton ka gjetur se në disa banka çmimet e shitjes janë më të ulëta se ato të publikuara. Banka Qendrore e Kosovës kërkon që “të gjitha bankat duhet të përgatisin listën e çmimeve dhe të gjitha tarifave për të gjitha produktet dhe shërbimet që ato ofrojnë.”.
Mirëpo, BQK specifikon që “Bankat … nuk duhet të imponojnë tarifa të cilat janë më të larta se struktura e shpalosur e tyre. Ose, të llogarisin tarifat e tyre në mënyrë kontradiktore me kriteret e shpalosura të llogaritjes”.
Mbetet dilemë nëse shitja nën çmimin e publikuar është brenda apo jashtë regulloreve të BQK-së. Në këtë rafsh TEB në çmimoren e rregullt jepë çmimin prej 12 për qind për kredi individuale. Mirëpo për dy produkte të veta për kredi, çmimin e reklamon me 6.4 për qind. Gjithashtu, TEB për produktin e kredisë deri 30,000 euro në telefon jap çmim edhe 5.4 për qind.
Njëjtë BKT, në çmimoren zyrtare, kamatën e kredisë e ka 7.9 për qind. Kjo bankë në faqen e vet reklamon kredi me kushte të volitshme, përderisa në takim jep edhe çmim 5.9 për qind. Këto kushte janë të lidhura me rrogëmarrës të sektorit publik.
Banka Raiffeisen, kredinë individuale në treg e ka “duke filluar nga 5.64”, përderisa në çmimoren zyrtare këtë kredi e ka me çmim 11 deri 12 për qind.