Erdhi dita me i ndërru gomat – Sa kushtojnë gomat e verës

16.03.2021

Shperndaje:

Sa kushtojnë gomat e verës është analiza e radhës e platformës Sakushton. Sipas analizave tona, si ofertues më të mëdhenjë janë Eurogoma dhe Eurodelta. Të dyjat ofrojnë shërbimin e shitjes dhe ndërrimit të gomave. Platforma ka kontaktuar edhe kompaninë Tire Center përmes mediave të tyre sociale por nuk ka arritur të sigurojë çmime.  

Gomat e automjetit janë një produkt me ndryshim të madh në çmim për shkak të cilësive dhe madhësive të ndryshme të gomave. Është gati e pamundur që të krahasohen dy lloje të ndryshme të gomave. I mbetet shfrytëzuesit që të përcaktojë se me cilën cilësi dhe me cilat goma do të ngasë automjetin dhe se çka kërkon nga një gomë.   

Sa i përket cilësisë, ndikimi i saj në ngasje ndikon së pari në sigurinë e automjetit, pastaj në jetëgjatësinë e gomës dhe komfortin gjatë ngasjes. Në komfort përfshihet lartësia dhe zhurma që dëgjohet në veturë. Disa brende ofrojnë stabilitet përmes metalit brenda gomës që mundëson ngasjen për disa kilometra edhe pas shpërthimit të gomës. 

Sa kushtojnë gomat?

Ndërmarrja Eurodelta për gomën e madhësisë 205/55 R16, të kompanisë prestigjioze Michelin, modeli Primacy 4, ka çmim Euro 87.72 (të zbritur nga Euro 129). Eurogoma konkuron me modelin Primacy 3 me çmim prej Euro 84 (të zbritur nga Euro 120). 

Sipas faqes Cardeko, nëse krahasohen këto dy modele, modeli Primacy 4 ka jetëgjatësi dhe vlerësim më të mirë nga publiku, ndërsa Primacy 3 e ka ngasjen më të mirë. Për më shumë shiko linkun.

Që të dy modelet e prodhuesit francez konsiderohen si marka premium. Këta prodhues shquhen që kanë gjatësi të vogël të frenimit, siguri dhe pak zhurmë. 

Eurodelta dhe Eurogoma ofrojnë edhe goma me çmime dhe cilësi më të ulët. Për madhësinë e njejtë, Eurogoma ofron gomën Sava të prodhuesit slloven me çmim prej Euro 49 (zbritur nga Euro 70); ndërsa Eurodelta ofron gomën e prodhuesit Riken për Euro 47.60 (të zbritur nga Euro 70). 

Brendet e reja më të mëdha në Kosovë

Një nga brendet e reja në treg të Kosovës është edhe brendi Toyo. Ky brend është i njohur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës pasi kompania është e vendosur në shtetin e Gjorgjias. Gomat Toyo mund të gjinden te Eurogoma dhe te përfaqësuesi i kompanisë në Kosovë, Mercom Company Sh.p.k. e cila gjithashtu menaxhon edhe markën e Peugeot në Kosovë. Goma e verës në Mercom Company Sh.p.k. 195/65 R15 e kompanisë Toyo shitet për Euro 49 (zbritur nga Euro 75.42); ndërsa e njëjta gomë në Eurogoma kushton Euro 55 (zbritur nga Euro 79). Krahasuar me brendet tjera, një gomë e kësaj madhësie por e brendit Michelin në Eurogoma kushton Euro 65, ndërsa Pirelli Euro 55, që të dyjat me zbritje.