28.12.2022
Jeni ftuar si mysafirë për të pritur natën e Vitit të Ri, atëherë është e udhës që të mos shkoni thatë. Duhet të bëni një dhuratë dhe mundësisht le të jetë diçka që mund të shërbehet po atë natë.
Mund të jetë çokollatë, mund të jetë verë, raki apo edhe diçka tjetër dhe platforma SaKushton ka analizuar e krahasuar çmimet e tyre në tregun online.
Nëse keni vendosur të çoni një çokollatë për dhuratë, atëherë le të jetë pak më “luksoze”. Kur flitet për to, atëherë Bajadera e Krasit është ndër më të njohurat.
Bajadera më e lirë me peshë 150 gr, kushton 3.59 euro. E gjeni në Maxi Market.
Nëse doni çokollatë më të madhe, atëherë ajo me peshë 500 gramë kushton 11.45 euro, po ashtu në Maxi.
Keni edhe çokollata me pesha të tjera dhe në markete të ndryshme.
Nëse jeni përcaktuar për verë, atëherë më të lirat i gjeni në Maxi dhe Gjirafa50. Në Maxi gjeni verën e bardhë Shulina për 2.35 euro, ndërkohë në Gjirafa50, verën Tramontto, e kuqe për 2.80 euro.
Nëse kërkoni verë të huaj dhe më të shtrenjtë, atëherë në PemaMall e gjeni verën e kuqe Bertani. Është italiane dhe kushton 49 euro.
Edhe te rakiat keni zgjidhje të shumta, nga vendoret që janë më të lira e deri te brendet e njohura.
Rakinë më të lirë e gjeni në PemaMall. Është e brendit Borea, me vëllim 0.5 L, nga rrushi dhe kushton 5 euro.
Në Spar gjeni rakinë e rrushit të brendit Rahoveci. Shishja 0.7 L kushton 6.99 euro.
Nëse kërkoni diçka më të shtrenjtë, atëherë në Gjirafa50, gjeni gjinin Barkeley Square. Shishja prej 1 litre kushton 36 euro.