19.01.2023
Sigurisht se e keni dëgjuar atë thënien se “me mbajt kerr, është si me mbajt gjys shpie”, por ndoshta pak prej juve ia keni futur lapsin se sa në të vërtetë shpenzoni brenda një viti për veturën tuaj apo brenda një muaji. Platforma Sakushton po ua sjell një pasqyrë të përafërt, duke përfshirë vetëm shpenzimet që janë të obligueshme, jo edhe prishjet, aksidentet e gjobat e trafikut. Marrin shumbull një veturë me kubikazhë mesatare, 1.7 me lëndë djegëse naftën.
Regjistrimi – 16.9 euro në muaj
Për të regjistruar një veturë me këtë peshë, ju duhet të paguani sigurim 85 euro, pastaj në Qendër të Regjistrimit 77.5 euro, kontroll teknik 30 euro dhe 10 euro për vërtetim të komunës përkatëse. Pra, sipas kësaj formule, për regjistrim shpenzoni 202.5 euro, gjithnjë duke llogaritur se nuk keni pasur aksident ku fajtor jeni shpallur ju. Nëse kjo shifër pjesëtohet për 12 muaj sa ka viti, atëherë për regjistrim brenda muajit shpenzoni 16.9 euro.
Servisimi – 10 euro në muaj
Prap duhet merret një mesatare. Nëse bëni vetëm 1.000 km në muaj, atëherë për çdo 10 muaj duhet t’i bëni servisim veturës. Servisimi me vaj kualitativ, kushton 100 euro. Kjo i bie se për çdo muaj duhet të ndani 10 euro për servisim dhe kështu të vazhdoni çdo 10 muaj të bëni servisim.
Gomat – 25.7 euro në muaj
Për gjatë një viti ju duhen goma të verës dhe të dimrit. Një gomë më e lira sot me numër të madhësisë mesatare 16, kushton 70 euro. Nëse i blini 8 goma, dimër e verë dhe ato i mbani për dy dimra e dy vera, ashtu siç parashohin udhëzimet e sigurisë, atëherë duhet të ndani 560 euro. E kur kjo shumë pjesëtohet për 24 muaj, aq sa i kanë dy vite, i bie se duhet të ndani 23.3 euro në muaj për goma. Nuk mbaron me kaq. Gomat edhe duhet ndërruar e balancuar dy herë në vit dhe kjo kushton 30 euro gjithsej apo 2.5 euro në muaj. E kur kjo i shtohet 23.3 euroshit për blerje të gomave, gjithsej bëhet 25.7 euro në muaj.
Derivate – 113.25 euro në muaj
Nëse për servisim morëm shembull kalimin e 1.000 kilometrave në muaj, atëherë për këtë kilometrazh na duhen 75 naftë, duke llogaritur se mesatarja e shpenzimeve është 7.5L në 100 km. Për t’i blerë këto litra naftë brenda muajit me çmimin aktual (1.51 € / L) na duhen 113.25 euro.
Material shpenzues – 10 euro në muaj
Në fillim thamë se kjo lloj analize e thjeshtë bëhet nëse keni fatin të mos u prishet vetura. Por gjithsesi material shpenzues duhet të paguani. Dhe aty futen frenat, poçet, rripat që kanë afat, bateria e veturës, krahët e rrotave, uji i xhamave e shumëçka tjetër. Minimumi i gjithë kësaj është 120 euro në vit apo 10 euro në muaj.
Pastrimi i veturës – 8 euro në muaj
Jeni apo nuk jeni meraklinj, të paktën dy herë të muaj do ta pastroni veturën. Dhe sot pastrimi më i lirë është 4 euro apo gjithsej 8 euro në muaj.
Totali i shpenzimeve – 183.85 euro në muaj
Nëse të gjitha këto mblidhen, atëherë del se për një veturë mesatare 1.7 me përshkim të një
kilometrazhi mesatar, duhet të ndani 183.85 euro në muaj. Natyrisht e cekëm: pa prishje, pa
aksidente dhe pa gjoba në trafik.
E kjo shumë, sot për sot është më e madhe se paga minimale e përcaktuar me ligj (170 euro) dhe afërsisht gjysma e pagës mesatare sot në Kosovë.
Pra, qëndron thënia “me mbajt kerr është si me mbajt gjys shtëpie”.